Maqedonia në krah të SHBA-së dhe Izraelit kundër mbështetjes për refugjatët palestinezë
Maqedonia e Veriut ishte në mesin e nëntë vendeve që votuan kundër një projekt-rezolute të Kombeve të Bashkuara lidhur me veprimtarinë e Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA). Rezoluta mori mbështetje dërrmuese gjatë votimit në Komitetin e Katërt të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 18 nëntor 2026. Sipas tabelës së votimit, 143 vende votuan pro, nëntë kundër dhe 20 abstenuan, transmeton Portalb.mk.
Krahas Maqedonisë, kundër rezolutës votuan edhe Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Argjentina, Fixhi, Palau, Paraguai, Shtetet Federative të Mikronezisë dhe Tonga.
Ndërkaq, Australia, Zelanda e Re, Ishujt Solomon, Kina, India, Japonia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar ishin ndër vendet që mbështetën rezolutën. Papua Guinea e Re, Samoa dhe Ishujt Marshall abstenuan. UNRWA u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1949 dhe ofron ndihmë humanitare dhe mbrojtje për refugjatët palestinezë të regjistruar, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për gjendjen e tyre.
Agjencia vepron në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Jerusalemin Lindor, në Rripin e Gazës, Jordani, Liban dhe Siri.
Lexo edhe
Netanyahu sulmon partitë arabe: Një qeveri e varur nga mbështetësit e terrorizmit do të shkatërrojë Izraelin nga brenda
Shërbimet e saj përfshijnë arsimin, kujdesin shëndetësor, ndihmën dhe shërbimet sociale, mbrojtjen, infrastrukturën e kampeve të refugjatëve, mikrokreditë dhe ndihmën emergjente.
Qindra mijëra palestinezë humbën shtëpitë dhe mjetet e jetesës gjatë luftës së vitit 1948, ndërsa miliona refugjatë dhe pasardhës të tyre vazhdojnë të kenë nevojë për mbështetje humanitare.
UNRWA mbështetet pothuajse tërësisht në kontributet vullnetare për financimin e veprimtarisë së saj.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, duke komentuar një votim të mëhershëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për vazhdimin e mandatit të agjencisë edhe për tre vjet, tha se mbështetja ndërkombëtare dëshmonte solidaritetin e gjerë me refugjatët palestinezë.
“Votimi tani duhet të shndërrohet në një angazhim të vërtetë dhe në burime përkatëse, në mënyrë që mandati të përmbushet”, tha ai.
Maqedonia e Veriut edhe në qershor 2025, absetoni në rezoltën për vrasjet izraelite në Gaza. Vendi, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.



