Mexhlisi i fsh. Grushinë

Mexhlisi i fsh. Grushinë, pas shumë bisedimeve të rinisë së fshatit, filloi t’i mbajë mexhliset e saj me hoxhallarë të ndryshëm në mektebin e xhamisë. Pas dy-tri ligjëratave dhe interesit të shumtë të rinisë për ligjërata me hoxhallarët, rinia e pa të arsyeshme që t’i zgjeronin ligjëratat edhe më shumë dhe vendosën ta ndërtojnë mexhlisin e fshatit, i cili ndodhet në oborrin e xhamisë. Vendi ku ndodhet momentalisht mexhlisi ishte i papërdorur nga xhamia, por i përshtatshëm për mexhlis dhe, me lejen e imamit të xhamisë, Mumin Emini, dhe me planifikimin e rinisë, më datën 24.10.2025 filluan punimet e mexhlisit.

Me një vullnet dhe me një pjesëmarrje të madhe, fillimisht e bëmë pastrimin e vendit dhe pastaj filluam me rininë që ka punuar aktivisht dhe me donatorët që na kanë ndihmuar financiarisht për planifikimin se si të ndërtohet mexhlisi. Ne ishim të mendimit ta ndërtonim vetëm një vend të thjeshtë për ligjërata, por me mbështetjen e madhe të donatorëve doli në pah një punë e mrekullueshme që ishte surprizë edhe për ne si organizatorë.
Për shkak të angazhimeve ditore që kishte gjithsecili prej nesh, punimet fillonin pas namazit të jacisë dhe vazhdonin deri në orët e vona. Pavarësisht që kishte shumë punë, brenda një muaji arritëm t’i përfundojmë punimet dhe ta bëjmë hapjen e mexhlisit tonë.
Vendosëm që hapjen e mexhlisit, meqenëse kemi hoxhallarë të shumtë të fshatit, ta bëjmë me hoxhallarët tanë, të cilët ishin: Mumin Emini, Dr. Taxhedin Bislimi, Ismail Fezullahu, Llokman Kamberi, Harun Rexhepi, Adnan Osmani, Jasin Kamberi, Shaban Shabani dhe mysafiri i vetëm Hfz. Bejtullah Selmani me Kuran/Ilahi, si dhe me një pjesëmarrje të madhe të fshatarëve tanë.
Prej asaj date e deri më sot, në sezonin e dimrit, çdo të shtunë pas namazit të jacisë, me hoxhallarë të ndryshëm vazhdon mexhlisi i fsh. Grushinë.
Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuan në këtë punë të hajrit.

Përgatiti: Shaban Shabani & Jasin Kamberi