Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një editorial Kyiv Post, me titullin ‘’Ukraina duhet ta njohë Kosovën’’.
Kurti, në opinionin e tij argumenton se, presidenti Zelensky duhet ta njohë pavarësinë jo si një favor ndaj Kosovës, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar të cilin Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur ‘’një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk privohen nga e ardhmja e tyre prej vendeve më të mëdha’’.
‘’Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thoshte t’ia demaskonte Putinit bllofin. Njohja do të hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur raste të ndryshme në një argument të vetëm, të përshtatshëm për interesat e tij.’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.



