175 attivisti, mes të cilëve dhe italian po transportohen drejt Izraelit.
Një incident i rëndë diplomatik dhe ushtarak ka shpërthyer në Mesdheun lindor, pasi një flotë anijesh civile, e nisur drejt Rripit të Gazës me ndihma humanitare, është ndaluar nga forcat detare izraelite në afërsi të ishullit të Kretës. Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga Italia dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes tensionet mbi bllokadën e Gazës.
Ministria e Punëve të Jashtme italiane, ka konfirmuar se ka kërkuar urgjentisht informacion nga autoritetet izraelite dhe greke për të kuptuar dinamikën e operacionit. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, aktivizoi menjëherë Njësinë e Krizës dhe përfshiu ambasadat në Tel Aviv dhe Athinë për të garantuar sigurinë e shtetasve italianë që ndodheshin në bord të anijeve.
Zëdhënësja e flotiljes, Maria Elena Delia, e përshkroi operacionin si “të turpshëm dhe surreal”, duke theksuar se bëhet fjalë për anije civile me ndihma humanitare, të ndaluara në atë që ajo e cilësoi si “ujëra praktikisht evropiane”. Sipas saj, ndërhyrja ka zgjatur gjatë gjithë natës dhe përbën një shkelje serioze të të drejtave ndërkombëtare.
Dëshmitë nga aktivistët në bord përshkruajnë një ndërhyrje të armatosur: fillimisht dy anije ushtarake izraelite kërkuan ndalimin e flotiljes, më pas ushtarët hipën në bord duke përdorur armë dhe urdhëruan aktivistët të qëndronin në pjesën e përparme të anijeve. Pas këtij momenti, komunikimet me disa prej mjeteve u ndërprenë.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme izraelite ka dhënë një version më të butë të ngjarjes, duke deklaruar se rreth 175 aktivistë nga mbi 20 anije po transportohen drejt Izraelit “në mënyrë paqësore”. Një video e publikuar në rrjetet sociale duket se synon të mbështesë këtë narrativë.
Ndërkohë, Italia përmes Ministrisë së Jashtem arnesina ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me palët e përfshira dhe ka theksuar nevojën për një përgjigje të koordinuar në nivel të Bashkimit Evropian.

