HULUMTIMI: Qytetarët më së shumti informohen nga televizioni, pason interneti

257
HULUMTIMI: Qytetarët më së shumti informohen nga televizioni, pason interneti

Qytetarët e Maqedonisë nuk kanë vetëm një burim të informatave, por ata më shpesh informohen nëpërmjet televizionit dhe internetit.

Kështu thonë rezultatet nga hulumtimi që gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar është bërë me kërkesë të Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele.

Në hulumtimin ishin të përfshirë 1200 anketues të moshës mbi 16 vjeçare dhe rezulton se televizioni është mediumi më i rëndësishëm nëpërmjet së cilit informohen qytetarët, respektivisht rreth 75% nga të anketuarit kanë thënë se për ngjarjet e vendit dhe ndërkombëtare ata informohen nëpërmjet televizionit. Burimi i dytë më i përdorur është interneti. 66% e të anketuarve kanë thënë se ata asnjëherë nuk informohen nga radio, ndërsa afër 57% nuk informohen nga mediat e shtypit.

Qytetarët e Maqedonisë më së shpeshti i shohin lajmet dhe më pas serialet televizive për të cilat kanë thënë se janë të shumta nëpër televizionet e vendit. Të anketuarit kanë thënë se ka mungesë të programeve arsimore dhe kulturore, programe për fëmijë, filma të animuar, emisione dokumentare dhe filma artistik.

Në vitin 2015, kur është realizuar një anketë e tillë, vetëm 7.5% e qytetarëve kanë përdorur antenë të thjeshtë, ndërsa 84.3% i kanë shfrytëzuar shërbimet e operatorëve elektronik.

Sipas Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele, vitin e kaluar të ardhurat e plota nga radio-difuzerët kapin vlerën prej 3 miliard e 102 milionë denarë, nga të cilat 1 miliard e 693 milion denarë janë të ardhura të siguruara nga reklamat, transmeton Aktuale.mk.

Afër 92% nga të ardhurat i kanë realizuar televizionet, ndërsa vetëm 8% janë të ardhura të cilat i kanë realizuar radiot.

Comments