Sektori për Punë të Brendshme në Shkup realizoi një kontroll të intensifikuar aksional në zonën e qytetit, me fokus të veçantë mbi drejtuesit e motoçikletave, biçikletave me motor ndihmës, triçikletave dhe katërçikletave.
Gjatë këtij aksioni i cili është realizuar të shtunën më 02.05.2026, nga ora 12:00 deri në orën 20:00, janë sanksionuar gjithsej 113 drejtues për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit, raporton faktiditor.info.
Shkelja më e shpeshtë ishte mosmbajtja e helmetës mbrojtëse, për të cilën janë shqiptuar 45 masa, ndërsa 17 drejtues të biçikletave me motor ndihmës janë ndëshkuar për shkak të mungesës së patentë shoferit. Për më tepër, janë regjistruar edhe 4 raste të drejtimit të motoçikletës me kategori të papërshtatshme, 3 raste të mjeteve të paregjistruara, 3 raste të mosposedimit të lejes së qarkullimit, si dhe 2 raste të lëvizjes në sipërfaqe të papërshtatshme dhe 2 raste të mosndalesës në shenjë të dhënë nga policia. Pjesa tjetër e sanksioneve, përkatësisht 37, u referohen kundërvajtjeve të tjera të ndryshme.
Gjatë këtij kontrolli, një drejtues i motoçikletës është privuar nga liria bazuar në nenin 297-a të Kodit Penal për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjetit. SPB Shkup bën të ditur se kontrollet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore, me qëllim që të sigurohet një ambient më i sigurt për të gjithë në rrugët e vendit.

