Një ngjarje e rëndë, që ngjan me skenat e filmave mafiozë, ka tronditur Shkupin. Një 36-vjeçar ka raportuar se është sulmuar brutalisht, rrëmbyer dhe transportuar me forcë nga disa persona në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe më pas në fshatin Shishevë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti është denoncuar më 12 qershor në SPB Shkup. Viktima, me inicialet D.E., ka deklaruar se rreth orës 14:00, teksa po lëvizte me automjetin e tij tip Mercedes në lagjen Karposh, është bllokuar nga tre automjete të tjera.
Nga makinat kanë dalë disa persona, të cilët e kanë sulmuar fizikisht. Gjatë sulmit, njëri prej tyre i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, ai është futur me forcë në një nga automjetet dhe është marrë kundër vullnetit të tij.
Sipas dëshmisë së tij, fillimisht është dërguar në një parking në Karposh, ku është mbajtur për një periudhë kohe, ndërsa më vonë është transportuar në fshatin Shishevë. Atje është lënë i vetëm dhe është lejuar të largohet.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve, zbardhjen e motiveve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rrëmbimi që ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në kryeqytet. Autoritetet po punojnë intensivisht për zgjidhjen e rastit dhe kapjen e personave të përfshirë.

