Francë – Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e vogël Gy, në rajonin Haute-Saône të Francës, ku katër anëtarë të një familjeje janë gjetur të vdekur. Mes viktimave janë edhe dy fëmijë, të moshës 6 dhe 10 vjeç.
Sipas autoriteteve franceze, trupat u zbuluan të mërkurën në mbrëmje në një pronë ku familja jetonte përkohësisht. Dy fëmijët u gjetën në një automjet, ndërsa trupat e dy të rriturve u gjetën brenda një shtëpie të lëvizshme.
Viktimat janë dy djemtë e familjes, babai i tyre 42-vjeçar dhe vjehrra e tij, 74 vjeçe.
Prokuroria e Vesoul ka hapur një hetim për vrasje të qëllimshme. Sipas hipotezës kryesore të hetuesve në këtë fazë, babai dyshohet se ka vrarë dy fëmijët dhe vjehrrën e tij përpara se të drejtonte armën ndaj vetes. Autoritetet bëjnë të ditur se në ngjarje dyshohet të jetë përdorur një armë gjahu.
Në proces ndarjeje nga bashkëshortja
Sipas informacioneve të bëra publike nga prokuroria, 42-vjeçari ishte në proces ndarjeje nga bashkëshortja e tij. Në momentin e ngjarjes, ajo nuk ndodhej në pronë.
Mediat franceze, duke cituar burime pranë familjes dhe AFP-në, raportojnë gjithashtu se burri dyshohet se kishte filmuar ngjarjen dhe i kishte dërguar një video bashkëshortes së tij. Ky informacion është pjesë e materialeve që po shqyrtohen nga hetuesit.
Hetimi vijon për të sqaruar rrethanat e sakta të tragjedisë, ndërsa autopsitë e viktimave pritet të ndihmojnë në përcaktimin e plotë të mënyrës dhe kohës së vdekjes.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Gy, një qytet i vogël me rreth 1,000 banorë, ndërsa forcat e xhandarmërisë vijojnë hetimet në vendngjarje.
Autoritetet franceze theksojnë se hetimi është ende në fazat e para dhe se përgjegjësia dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimit.



