Putini rikthehet te ‘arma’ e vjetër, pse po puth sërish fëmijë para kamerave?

Sipas një analize të publikuar nga gazeta italiane Corriere della Sera, veprimet e fundit publike të Vladimir Putinit, sidomos skenat ku ai shfaqet duke puthur dhe përqafuar fëmijë para kamerave, nuk janë spontane, por pjesë e një strategjie të njohur propagandistike për të rikuperuar imazhin e tij në një moment kur popullariteti po bie.

Sa herë që Vladimir Putini ndien se popullariteti i tij po bie, ai rikthehet te një skenë e njohur propagandistike: shfaqet para kamerave duke puthur fëmijë. Është një zakon i vjetër politik, që dikur e përdorte edhe Josif Stalini, figurë që sot trajtohet gjithnjë e më pozitivisht nga propaganda e Kremlinit.

Reklame

Kjo ndodhi edhe në qershor të vitit 2023, kur rebelimi i Jevgenij Prigozhinit dhe mercenarëve të Wagner-it tronditi pushtetin rus dhe ndikoi negativisht në imazhin e Putinit. Gjatë një vizite në Dagestan, ai puthi publikisht në ballë një adoleshent, edhe pse në atë kohë vazhdonin ai ishte nën masa shumë të rrepta sigiurie, prej Covidi-t që po qarkullonte.

E njëjta skenë u përsërit më 27 prill të këtij viti, gjatë një vizite të Putinit në një qendër sportive për të rinj në Shën Petersburg, qytetin e tij të lindjes. I rrethuar nga vajza të vogla që merreshin me balet, ai bisedoi me to, pyeti për moshën dhe pasionin e tyre, pastaj puthi në ballë një vajzë 10-vjeçare dhe i ledhatoi flokët një tjetre.

“Faleminderit”, tha me buzëqeshje para se të largohej. Pak ditë më vonë, ai u filmua duke përqafuar një vajzë tjetër. Pamjet u shpërndanë menjëherë në televizionet dhe rrjetet sociale të kontrolluara nga Kremlini.

Sipas Farida Rustamovës, politologe ruse në mërgim dhe drejtuese e portalit të pavarur “Vlast”, këto gjeste tregojnë qartë se Putini është i shqetësuar për rënien e mbështetjes popullore. Dhe shifrat duket se e konfirmojnë këtë. Edhe institucionet shtetërore të sondazheve po regjistrojnë ulje të ndjeshme të popullaritetit të tij. Në një sondazh të agjencisë shtetërore Vtsiom, mbështetja për Putinin ra nga 74% në 65.5%, niveli më i ulët që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Edhe sondazhet e tjera tregojnë të njëjtën tendencë. Sipas institutit FOM, miratimi për Putinin është rreth 73%, ndërsa Qendra Levada, e konsideruar më e pavarur, thotë se popullariteti i tij ka rënë me gjashtë pikë që nga fillimi i vitit. Po aq shqetësues është edhe fakti se gjithnjë e më pak rusë besojnë se vendi po ecën “në drejtimin e duhur”: nga 77% disa muaj më parë, tani kjo shifër ka zbritur në 55%.

Problemi kryesor, sipas analistëve, nuk është vetëm lufta, por ekonomia. Inflacioni po ul fuqinë blerëse të qytetarëve dhe po shton pakënaqësinë ndaj qeverisë. Denis Volkov, drejtori i Qendrës Levada, thotë se rritja e çmimeve është sot shqetësimi më i madh për rusët.

Megjithëse regjimi rus po bëhet gjithnjë e më autoritar, me censurë, bllokime të internetit dhe ndalim të rrjeteve sociale, pakënaqësia po del në sipërfaqe. Përmes VPN-ve, shumë qytetarë publikojnë në TikTok dhe Telegram video ku kritikojnë pushtetin, edhe pse rrezikojnë burgun.

Ka edhe shenja të tjera që tregojnë nervozizmin e Putinit. Muajt e fundit ai ka dalë shumë pak në publik dhe pothuajse nuk ka lëvizur nga Moska. Për më tepër, këtë vit ai nuk mbajti as fjalimin tradicional drejtuar kombit, megjithëse kjo kërkohet nga Kushtetuta. Shumë analistë mendojnë se ai po izolohet gjithnjë e më shumë nga realiteti i përditshëm i qytetarëve rusë.

Shqetësimi më i madh për Kremlinin janë zgjedhjet parlamentare të 20 shtatorit. Edhe pse rezultati konsiderohet i kontrolluar, ekziston frika se pjesëmarrja e ulët dhe pakënaqësia popullore mund të sjellin protesta, ashtu si ndodhi në vitin 2011. Për këtë arsye, propaganda po përpiqet të ndërtojë sërish imazhin e një Putini “njerëzor” dhe të afërt me popullin.

Dhe kështu, “Cari” ka rifilluar edhe një herë të puthë fëmijët…

By admin5