Anëtarët e kryesisë së Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha dhe Blerand Stavileci, kanë bërë thirrje për bashkimin e opozitës, duke lënë të kuptohet se një afrim me Fatmir Limaj dhe Nisma Socialdemokrate do të ishte i dobishëm.
Berisha tha se opozita duhet të lërë anash ndasitë dhe të fokusohet te bashkimi kundër pushtetit aktual.
“Pjekuri politike është aftësia për të bashkuar energjitë, jo për të kultivuar inatet”, ka shkruar Berisha.
Ai shtoi se çdo votë opozitare e shpërndarë prodhon përfitues vetëm një palë, duke aluduar në Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkohë, Stavileci theksoi se PDK duhet të jetë e hapur për bashkim dhe rikthime politike.
“PDK-ja duhet të jetë një shtëpi e madhe politike ku bashkohen njerëz me rrugëtime të ndryshme, madje edhe me mosmarrëveshje të së kaluarës. Madhështia nuk është të mbash njerëzit larg, është të kesh zemër të madhe për t’i afruar përsëri”, ka shkruar Stavileci./IndeksOnline/


