Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së shtunës qytetin e Modenës në Itali, ku një automjet ka hyrë me shpejtësi në mes të turmës së qytetarëve në rrugën kryesore “Via Emilia Centro”, duke lënë pas dhjetëra të plagosur dhe skena paniku.
Sipas mediave italiane, makina tip “Citroen C3” ka përshkuar rreth 200 metra në zonën e mbushur me këmbësorë, duke goditur kalimtarë dhe disa automjete të tjera. Ngjarja ndodhi në një nga oraret më të frekuentuara të fundjavës, kur qendra historike ishte e mbushur me qytetarë dhe turistë.
Bilanci paraprak flet për rreth dhjetë persona të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ambulanca të shumta dhe ekipet e emergjencës, të cilat po transportojnë të lënduarit drejt spitaleve të zonës.
Sipas dëshmitarëve, drejtuesi i automjetit, i cili dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit, tentoi të largohej menjëherë pas përplasjes. Kalimtarët u përpoqën ta ndalonin, por situata u agravua edhe më shumë kur ai nxori një thikë dhe plagosi të paktën një person para se të neutralizohej nga qytetarët dhe policia.
Forca të shumta të Karabinierëve, Policisë dhe Guardia di Finanza kanë izoluar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Autoritetet italiane ende nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm apo për një incident të shkaktuar nga gjendja e shoferit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Itali, ndërsa pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë skena kaotike dhe qytetarë të alarmuar në zemër të Modenës. 
Tmerr në zemër të Italisë! Makina futet mes turmës në Modena, dhjetëra të plagosur dhe panik total..

