Lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit nga Bojana, Shkup, në afërsi të Sarajit, Prokuriria ka dalë me detaje. Nga atje thonë një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup lëshoi urdhër për autopsi të trupit të të ndjerit, si dhe urdhëresa për ekzaminim mjeko-ligjor të gjurmëve dhe për ekzaminime mjeko-ligjore dhe analiza krahasuese të armës me të cilën besohet se është kryer krimi, transmeton Portalb.mk.
“Ekziston dyshimi i bazuar se vepra penale – Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 1 i Kodit Penal është kryer nga një 19-vjeçar nga i njëjti fshat, i cili është i privuar nga liria. Megjithatë, duke marrë parasysh se mbledhja e provave është duke vazhduar, dhe ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik arratisjeje, mundësinë e ndikimit te dëshmitarët dhe fshehjes së gjurmëve, si dhe rrezikun që i dyshuari të kryejë një krim tjetër, prokurori publik kërkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake të caktojë një masë paraburgimi afatshkurtër prej 48 orësh derisa të sigurohen të gjitha provat dhe të hapet zyrtarisht hetimi”, thonë nga Prokuroria.
Zyrtarët policorë nga SPB Shkup kanë arrestuar M.B. (19) nga Bojana, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.
Ai u arrestua më 17.05.2026, në ora 00:50 në fshatin Bojanë të Shkupit.
Paraprakisht, në numrin emergjent 192 ishte paraqitur babai i tij, I.B., i cili kishte deklaruar se M.B. i kishte pranuar se më 15.05.2026, në një pyll në afërsi të Sarajit, me armë zjarri kishte vrarë B.D. (18) nga Bojana.
“Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa janë gjetur edhe trupi i viktimës dhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vrasja. Pas dokumentimit të rastit, ndaj M.B. do të parashtrohet kallëzim penal përkatës”, thuhet në njoftimin e Policisë.


