Nga: Alpin Ollogu
Mbështetja për protestën studentore, përmes së cilës kërkohet zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, është mbështetje për një të drejtë që buron nga interpretimi korrekt i Marrëveshjes së Ohrit dhe, rrjedhimisht, nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Edhe pse zbatimi i një bilingualizmi të tillë në gjyqësorin e një shteti ekonomikisht të brishtë kërkon infrastrukturë të kushtueshme financiare dhe kapacitete të mëdha njerëzore, vërejtje këto të bëra edhe nga Komisioni i Venecias, praktikë që sot zbatohet plotësisht vetëm në pak shtete të botës, kjo nuk e zbeh dhe as nuk e mohon të drejtën që qytetarët shqiptarë, si komunitet që përbën mbi 20% të popullsisë, ta kenë provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.
Kjo çështje nuk lidhet vetëm me një provim formal. Kërkesa për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, në mënyrë të natyrshme, do të pasohet edhe me kërkesa për përdorimin e shqipes në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë. Dhe kjo është plotësisht logjike. Provimi i jurisprudencës nuk përfaqëson fundin e formimit profesional të një juristi në Maqedoninë e Veriut, ashtu siç paraqitet shpesh në opinionin publik. Në realitet, Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë është institucioni që licencon dhe përgatit kuadrot e drejtësisë për ushtrimin e funksionit të gjykatësit dhe prokurorit.
Pikërisht këtu lind edhe thelbi i debatit mbi bilingualizmin në gjyqësor. Një jurist që të gjithë formimin profesional dhe provimet i ka zhvilluar në gjuhën amtare, vështirë se mund të zhvillojë procedura komplekse juridike në një gjuhë tjetër, sidomos kur sot po dalin gjenerata që e njohin gjithnjë e më pak gjuhën maqedonase, e aq më tepër terminologjinë juridike dhe interpretimin ligjor në atë gjuhë. Për më tepër, do të ishte paradoksale që e gjithë beteja për përdorimin e gjuhës shqipe në fakultetet juridike, në provimet profesionale, në jurisprudencë, noterí, përmbarim dhe fusha të tjera, të përfundonte me procese gjyqësore që zhvillohen ekskluzivisht në gjuhën maqedonase.
Megjithatë, protesta studentore nuk duhet të keqpërdoret politikisht për të sulmuar përfaqësuesit shqiptarë në qeveri. Jo për hir të politikës, por për hir të së vërtetës, asaj të vërtete që shpirti studentor, ende i paprekur nga lakmia për pushtet, e kërkon dhe e mbron me këmbëngulje.
Nëse dikujt duhet t’i kërkohet përgjegjësi për mosrealizimin e deritanishëm të kësaj të drejte, atëherë një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi opozitën e sotme shqiptare, e cila për dekada ishte pjesë e qeverive, shpeshherë edhe në pozita shumë më të favorshme politike përballë partnerëve maqedonas në koalicion. Megjithatë, duhet pranuar se edhe atëherë funksionalizimi i bilingualizmit në gjyqësor ka qenë një sfidë reale dhe mbetet i tillë edhe sot, me ose pa një ligj të veçantë për këtë çështje.
Nga ana tjetër, opozita aktuale shqiptare ka një meritë të pamohueshme: arriti të bëjë atë që opozita e dikurshme nuk e bëri — të motivojë, organizojë dhe nxisë studentët të kërkojnë aktivisht të drejtat e tyre ligjore. Dhe ky është një nga funksionet themelore të një opozite të fortë: jo vetëm të përfitojë politikisht, por edhe të shtyjë përpara procese me interes të përgjithshëm shoqëror e kombëtar.
Mund të ketë nga ata që mohojnë ndikimin politik në këto protesta, apo që pretendojnë se studentët kanë vepruar krejtësisht pa ndikim. Por faktet flasin ndryshe: organizimi dhe mobilizimi studentor nisi menjëherë pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të Hristijan Mickoski. Dhe, në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe në këtë. Studentët kanë vrullin dhe guximin për kauza, si dhe energjinë për ta ndryshuar gjendjen pozitivisht. Ndërsa opozita ekziston pikërisht për të nxitur procese, për të artikuluar pakënaqësi dhe për të mobilizuar shoqërinë rreth çështjeve që i konsideron të drejta dhe të rëndësishme — edhe atyre që vetë nuk ka arritur t’i realizojë gjatë kohës kur ka qenë në pushtet.


