Ish-kryeministri dhe kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se qeveria në detyrë nuk po mund të arsyetojë shpenzimet kapitale.
Sipas Hotit, në vitet 2015-2020, 2 miliardë euro të dedikuara për shpenzime kapitale janë parë në punë konkrete, shkruan IndeksOnline.
Ndërkaq, për vitet 2021-2025, Hoti vlerëson se nuk mund të identifikohen projektet për të cilat janë investuar 2.7 miliardë euro investime kapitale.
Ky është postimi i tij:
“Avullimi” i shpenzimeve kapitale të Qeverisë Kurti gjatë viteve 2021-2025
Të gjitha Qeveritë e Kosovës të viteve 2015-2020 (6 vite) kanë menaxhuar buxhet total prej 11.7 miliardë euro. Nga ky buxhet, për shpenzime kapitale janë dedikuar 2 miliardë euro, me të cilin janë ndërtuar shumica e kapitalit publik që e gëzojmë sot: autostrada, rrugë rajonale, shkolla, ujësjellës e kanalizime, sisteme të ujitjes dhe projekte të tjera publike.
Qeveria Kurti në vitet 2021-2025 (6 vite) ka menaxhuar buxhet total prej 14.9 miliardë euro, që është 27% më i lartë se buxheti i gjashtë viteve paraprake (2015-2020). Nga ky buxhet total, Qeveria Kurti ka investuar 2.7 miliardë euro.
Se ku kanë shkuar shpenzimet kapitale 2015-2020 mund të identifikohet qartë.
Por është e pamundur të identifikohen projektet për vitet 2021-2025, të cilat i arsyetojnë shpenzimet prej 2.7 miliardë euro.


