Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka replikuar ashpër me analistin Fatos Lubonja gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku mbrojti projektin e investimit në Zvërnec dhe vizionin e qeverisë për zhvillimin e turizmit.
Rama deklaroi se nuk pajtohet me kritikat e Lubonjës, duke thënë se ai “jeton me makthin e mafies” prej kohës kur marrëdhënia mes tyre u ndërpre.
“Të shoh ju të shkoni pas berihasë të Fatos Lubonjës që jeton me makthin e mafies që kur u nda prej meje, unë nuk e pranoj. Respekt për atë si person dhe për vuajtjet e tij, por mafien që ai më tregon mua, ma tregon sepse është njësoj si ata që i tregonin atij armikun e popullit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se kundërshtimet ndaj projektit nuk duhet të pengojnë zhvillimin e vendit dhe se Shqipëria duhet të synojë investime që e vendosin në të njëjtin nivel me destinacionet më të njohura turistike të rajonit.
“Pse duhet ta shohim me zili Greqinë apo Malin e Zi? Me admirim po, por me zili pse? Çfarë ishte Sveti Stefan? Monument kulture”, tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, Rama theksoi se zhvillimi i turizmit synon të sjellë më shumë të ardhura për vendin dhe jo për përfitime personale.
“Na duhet turizmi që të na sjellë më shumë para. Jo për mua o Fatos, jo për mua! Unë jam informuar që kur kam qenë i vogël se një ditë do ikësh nga kjo botë dhe atje nuk ka as cash, as karta krediti. E vetmja gjë që vlen është çfarë lë pas. Unë dua të lë gjëra për të cilat të jenë krenare gjeneratat që do vijnë”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se projekti për Zvërnecin ende nuk është dorëzuar përfundimisht, por sipas tij, nga ajo që ka parë deri tani, bëhet fjalë për një investim unik në rajonin e Mesdheut dhe Europës.


