“Protestat në Evropë, pasojë e gabimeve të BE”, Putin: Emigracioni po shkatërron traditat e tyre

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se vala e fundit e protestave që përfshiu Evropën Perëndimore ishte rezultat i gabimeve të vetë Bashkimit Evropian. Sipas tij, vendet evropiane po hasin vështirësi në menaxhimin e krizës së migracionit.

“Evropianët po i shkatërrojnë traditat e tyre, ndaj janë edhe më pak të aftë t’ua përcjellin ato emigrantëve”, tha Putin në një intervistë.

Protesta masive u zhvilluan sërish gjatë fundjavës. Demonstruesit, të zemëruar, sipas raportimeve, për shkak të rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës dhe politikave të paafta qeveritare, u përplasën me policinë e trazirave në disa qytete.

Pakënaqësia dhe protestat kundër qeverive janë nxitur kryesisht nga protestat në Francë, të cilat nisën në shtator dhe më pas u përhapën në vende të tjera.

Putin tha se disa liderë evropianë nuk janë në gjendje të marrin përgjegjësi për trazirat. Në vend që të analizojnë situatën dhe të identifikojnë shkaqet e saj, ata priren të fajësojnë vende të tjera, fillimisht SHBA-në dhe tani Rusinë, u shpreh ai.

“Por ata shpejt erdhën në vete dhe iu rikthyen akuzave të tyre tradicionale kundër Rusisë. Reagimi im i parë kur e pashë këtë ishte habi, sepse të pretendosh se ne po nxisim protesta masive në qytetet kryesore evropiane është vërtet të shkosh shumë larg”, tha presidenti rus.

Ai shtoi se kjo pasqyron dobësinë e liderëve evropianë dhe paaftësinë e tyre për të përballuar situatën.