Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për rritjen e numrit të shtetasve rusë që po marrin shtetësinë serbe, duke paralajmëruar se kjo mund të paraqesë rrezik potencial sigurie për Bashkimin Evropian.
Në raportin më të fundit për progresin e Serbisë në fushën e sundimit të ligjit, Brukseli vlerëson se, megjithëse politika e shtetësisë është kompetencë sovrane e Serbisë, marrja e përshpejtuar e shtetësisë serbe nga qytetarët rusë u mundëson atyre qasje pa viza në vendet e BE-së, gjë që ngre shqetësime të sigurisë.
“Rritja e numrit të shtetasve rusë që fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në BE përmes shtetësisë serbe paraqet rreziqe të mundshme sigurie për Bashkimin Evropian”, thuhet në dokumentin e Komisionit Evropian.
Brukseli i kërkon Beogradit të forcojë kontrollet gjatë shqyrtimit të kërkesave për viza nga shtetas të vendeve që konsiderohen me rrezik në aspektin e migracionit të parregullt dhe sigurisë.
Çështja vjen në një kohë kur disa shtete anëtare të BE-së po kërkojnë kufizime më të forta për vizat turistike të shtetasve rusë për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave evropiane, gjatë vitit 2025 janë lëshuar afro 480 mijë viza turistike për shtetasit rusë në zonën Shengen, niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka deklaruar se Serbia nuk do të vendosë viza për qytetarët rusë.
Komisioni Evropian ka rikujtuar gjithashtu se politika e vizave e Serbisë mbetet vetëm pjesërisht e harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian. Aktualisht, Serbia ka regjim pa viza me disa vende, përfshirë Rusinë, Kinën, Bjellorusinë, Turqinë dhe vende të tjera, qytetarët e të cilave kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE.
Në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Serbia është zotuar të harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Moszbatimi i këtyre detyrimeve deri në fund të vitit 2026 mund t’i kushtojë Beogradit mbi 27 milionë euro fonde evropiane.
Komisioni Evropian kërkon që Serbia të ashpërsojë procedurat për lëshimin e vizave dhe të përmirësojë kontrollin ndaj shtetasve të vendeve që nuk kanë regjim pa viza me Bashkimin Evropian, me qëllim forcimin e sigurisë dhe uljen e migracionit të parregullt drejt vendeve të BE-së.

