Rrjeti Shëndetësor i Evropës Juglindore tashmë prej 25 vitesh i bashkon me sukses vendet e rajonit rreth një qëllimi të përbashkët – shëndet dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët. Këtë sot e theksoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në hapjen e seancës të 49-të plenare të Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore, që po mbahet në Shkup nën kryesimin e Izraelit.
“Rrjeti Shëndetësor është zhvilluar në një organizatë të fuqishme ndërqeveritare, e cila sot bashkon nëntë vende anëtare dhe paraqet një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, ndërtimin e kapaciteteve dhe avancimin e politikave shëndetësore. Në fokus të seancës plenare janë tema me rëndësi të veçantë për të ardhmen e sistemeve shëndetësore, ndër të cilat zhvillimi i ekosistemeve inovative të shëndetësisë digjitale, avancimi i roleve dhe lidershipit të infermierisë, si dhe gatishmëria dhe qëndrueshmëria e sistemeve shëndetësore në situata krize dhe emergjence”, theksoi ministri Aliu.
Ai potencoi se shteti mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj transformimit digjital të shëndetësisë, forcimit të rolit të infermierëve dhe avancimit të kapaciteteve kombëtare për gatishmëri dhe reagim ndaj kërcënimeve shëndetësore dhe situatave emergjente.
Njëkohësisht, ai njoftoi se me iniciativën e tij, në shtator të këtij viti, nën patronazhin e Bankës Botërore, do të mbahet një konferencë rajonale ku do të marrin pjesë ministrat e shëndetësisë të vendeve të rajonit, me qëllim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave të mira.
Pjesëmarrësit në seancën e 49. plenare do të diskutojnë për sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e sistemeve shëndetësore më të qëndrueshme, më efikase dhe më gjithëpërfshirëse në Evropën Juglindore, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

