Vlera e tregut të gjigantit teknologjik Nvidia ka rënë me rreth 430 miliardë dollarë brenda dy ditësh, pas raportimeve për një marrëdhënie të dyshuar mes drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang, dhe një gruaje që dyshohet se ka spiunuar për Kinën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të hënën se FBI-ja po shqyrtonte këto pretendime. Ai tha se kishte biseduar me Huang-un, të cilin e përshkroi si një “njeri shumë të nderuar”, duke shtuar se drejtori ekzekutiv nuk kishte pasur dijeni për pretendimet ndaj gruas.
Sipas një raportimi të The New York Times, Huang kishte pasur një marrëdhënie të afërt me Alice Huang, ish-drejtuese në kompaninë teknologjike Megaspeed, me seli në Singapor, e cila dyshohet se kishte mbledhur informacione për Pekinin, shkruan Sky News.
Sipas gazetës, shërbimet amerikane të inteligjencës kanë arritur në përfundimin se ajo po mblidhte informacione në interes të Kinës. Pekini i ka cilësuar këto pretendime si të pabazuara dhe pjesë të një fushate për të dëmtuar reputacionin e vendit, transmeton Klankosova.tv.
Alice Huang nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s.
Ndërkohë, raportimet e së martës pretendojnë se marrëdhënia e tyre kishte lehtësuar dërgimin e çipave të Nvidia-s në Kinë, në vlerë prej të paktën 7.5 miliardë dollarësh.
Po ashtu, sipas këtyre raportimeve, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte informuar më herët presidentin Trump për këtë çështje.



