Mbi 200 mijë persona në Rripin e Gazës mund të jenë prekur nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet që kanë pasuar, duke pasur nevojë për ndihmë humanitare. Ky është vlerësimi paraprak i publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), sipas së cilës moti i keq ka shkaktuar dëme në dhjetëra mijëra strehime të përkohshme, si dhe në një sërë infrastrukturash jetike.
“Vlerësimet fillestare tregojnë se mbi 200 mijë persona mund të jenë prekur dhe të kenë nevojë për ndihmë humanitare”, deklaroi OCHA, duke bërë të ditur se deri të hënën ishin raportuar dëme në më shumë se 40 mijë strehime familjare, mbi 900 tualete dhe nëntë struktura shëndetësore.
Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara, rreth 950 mijë persona të zhvendosur jetojnë aktualisht në zona të ekspozuara ndaj rrezikut të përmbytjeve. Prej tyre, 400 mijë persona, pothuajse gjysma fëmijë, ndodhen në zona të klasifikuara me rrezik jashtëzakonisht të lartë.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) bëri të ditur se gjatë fundjavës, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, humbën jetën një grua dhe tre fëmijë të moshës katër, pesë dhe tetë vjeç. Tragjedia ndodhi pasi reshjet e dendura shkaktuan shembjen e një dune rëre mbi tendën ku ata po qëndronin.



