Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix të xhudos që po mbahet në Qingdao të Kinës.
Fillimisht, Laura mposhti me 3 yuko Sara-Joy Bauer nga Gjermania, ndërsa në xhiron e dytë e mposhti me ippon turken Özlem Yıldız.
Në gjysmëfinale, Laura humbi me yuko nga Narumi Tanioka nga Japonia, gjë që ia pamundësoi të garonte për vendin e parë dhe të dytë. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua dhe në luftën e parë të repesazhit e mposhti xhudisten e Italisë, Thauany Capanni Dias.
Më pas, për medaljen e bronztë, Laura mposhti me waza-ari Yana Makretskaya nga Bjellorusia, duke ia siguruar medaljen e bronztë.
Për Laurën është medalja e dytë këtë vit. Në Grand Prix në Austri, më 6 mars, ajo fitoi medaljen e argjendtë.
Duhet theksuar se, edhe pse Kina nuk e njeh shtetin e Kosovës, Laura e përfaqësoi denjësisht, duke arritur që të ngrejë flamurin e Kosovës në Grand Prix të Kinës.
25-vjeçares i takojnë 350 pikë për vendin e tretë në Grand Prix.
Laura në Kinë ishte bartëse e katërt në kategori dhe zuri vend në podium.
Në Grand Prix të Kinës po garojnë 500 xhudistë nga 57 shtete të ndryshme.

