Toshkovski dhe Lamallari firmosin marrëveshjen për pika të përbashkëta kufitare

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe homologu i tij shqiptar, Besfort Lamallari, nënshkruan të shtunën në Peshkopi marrëveshjen për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe kontrolleve të përbashkëta kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Sipas Toshkovskit, marrëveshja paraqet një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit më efikas, më të sigurt dhe më modern të kufirit të përbashkët, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, ekonominë dhe institucionet e të dyja vendeve.

Ai theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje përmbyllet procesi i vendosjes së sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare me të tri shtetet fqinje të Maqedonisë së Veriut që nuk janë pjesë e zonës Shengen, duke rikujtuar se një model i tillë tashmë funksionon me Serbinë dhe Kosovën.

“Qëllimi ynë është i qartë – të sigurojmë qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, të zvogëlojmë kohën e pritjes në vendkalimet kufitare, si dhe njëkohësisht të forcojmë sigurinë përmes koordinimit dhe veprimit të përbashkët”, deklaroi Toshkovski.

Në fund, ministri shprehu mirënjohje për ekipet që kanë punuar në përgatitjen e marrëveshjes, si dhe falënderoi ministrin shqiptar Besfort Lamallari për partneritetin dhe bashkëpunimin e suksesshëm.

By admin7