Haxhiu pret raportuesin për Kosovën në PE – Kërkon që aplikimi për anëtarësim në BE të ‘‘trajtohet pa vonesa’’

U.d presidentja, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim, raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.

Në komunikatën për media, njoftohet se Haxhiu, ka theksuar se ‘’ aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave’’.

‘’ U.D. Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Ajo theksoi se procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët.’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Komunikata:

U.D. Presidentja Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.

U.D. Presidentja Haxhiu e falënderoi z. Terras për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe se përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave.

Sipas U.D. Presidentes, Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim.

U.D. Presidentja Haxhiu paraqiti përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Bashkimit Evropian. Ajo vuri në pah se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare.

U.D. Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Ajo theksoi se procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët.

By admin2