Është nënshkruar marrëveshja për blerjen e rrugës që mundëson qasjen në Xhaminë “Koxha Mehmed Beu” në fshatin Tabanoc, me ç’rast është ndërmarrë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e qasjes në këtë objekt fetar.
Marrëveshja u nënshkrua më 19 tetor 2026, në prani të myftiut të Kumanovës, h. Abedin ef. Imeri, si dhe anëtarëve të familjes Selmani nga fshati Llojan.
Rruga që është objekt i marrëveshjes ka një sipërfaqe prej 529 metrash katrorë dhe një gjerësi prej shtatë metrash. Vlera e përgjithshme e saj arrin në 26.450 euro.
Pagesa për blerjen e kësaj rruge u realizua nga Husejn Bajrami, i biri i hoxhës së ndjerë Nexhmedin Bajrami, i cili, përmes këtij kontributi, ka mbështetur ruajtjen dhe funksionalitetin e infrastrukturës që u shërben xhamisë dhe besimtarëve.
Me këtë rast, Muftinia e Kumanovës shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për Husejn Bajramin për kontributin e tij, si dhe për anëtarët e familjes Selmani nga fshati Llojan, për bashkëpunimin e tyre në realizimin e kësaj marrëveshjeje.
Në fund, Muftinia e Kumanovës u lut që Allahu Fuqiplotë ta pranojë këtë kontribut si sadaka dhe vepër të mirë, ta shpërblejë Husejn Bajramin me të mira të shumta dhe ta mëshirojë hoxhën e ndjerë Nexhmedin Bajrami.
Muftinia e BFI-së – Kumanovë




