Akuza të rënda ndaj RTK-së: “Publikoi fotografinë e një qytetari pas një lajmi të rremë për krime lufte”

Janë shtuar reagimet pas raportimeve lidhur me një person nga Prizreni, i cili fillimisht u përmend në media si i arrestuar për gjoja “krime lufte”, por më pas informacioni u demantua nga Policia.

Sipas reagimit të publikuar në rrjetet sociale, personi në fjalë nuk ishte i arrestuar, ndërsa autori i pretendimeve është ftuar për intervistim nga Policia, pasi lajmi rezultoi i pavërtetë.

Në reagim akuzohet edhe Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), me pretendimin se në një kronikë informative ka publikuar fotografinë e qytetarit, duke i dhënë jehonë një informacioni që më pas u demantua.

“Kqyrni çka bën RTK-ja e Kurtit. Një person nga Prizreni, vëllai i një drejtori komunal, përmendet si i arrestuar për ‘krime lufte’. Lajmi demantohet nga Policia dhe personi që e përmend ftohet për intervistim. Pra, krejt ishte Fake News. RTK ia publikon foton e tij në kronikë lajmesh, duke ia rrezikuar drejtpërdrejt jetën”, thuhet në reagim.

Në fund të reagimit ngrihet edhe pyetja nëse drejtuesit e rinj të RTK-së do të ndërmarrin masa lidhur me këtë rast.

Deri më tani, RTK nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime. Në mungesë të një qëndrimi nga transmetuesi publik, pretendimet mbeten pjesë e reagimeve publike dhe nuk janë konfirmuar nga RTK./Faktiditor.info/

By admin7