Këngëtari amerikan Chris Brown është dënuar me tetë muaj burg, të pezulluar për një periudhë 12-mujore, për sulmin ndaj producentit muzikor Abraham “Abe” Diaw në klubin privat Tape, në zonën Mayfair të Londrës, në orët e para të 19 shkurtit 2023.
Bashkë me të, edhe reperi Omololu Akinlolu, i cili punonte si trajner vokal i Brown dhe mori pjesë në sulm, u dënua me katër muaj burg, gjithashtu të pezulluar për 12 muaj. Të dy u urdhëruan të paguajnë nga 1,500 paund për shpenzimet gjyqësore, pasi kishin pranuar fajësinë për veprën penale të përleshjes.
Gjatë seancës së dënimit, gjykatësi Tony Baumgartner e cilësoi përdorimin e një shisheje qelqi nga Brown për të goditur viktimën në kokë si një veprim “thjesht të rrezikshëm”, duke theksuar se dhuna e ushtruar ishte intensive.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, sulmi ndaj producentit muzikor i shkaktoi këtij të fundit lëndime që kërkuan trajtim spitalor. Pamjet e kamerave të sigurisë, të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, treguan Brown duke e goditur Diaw katër herë me shishe, dy herë në kokë dhe më pas në shpatull.
“Përdorimi i përsëritur i një shisheje qelqi në atë mënyrë, veçanërisht i drejtuar në kokë, ishte thjesht i rrezikshëm, pasi mbartte rrezikun e shkaktimit të një dëmtimi më serioz nga ai që u pësua në fund”, deklaroi gjykatësi Baumgartner.
Megjithatë, gjykatësi sqaroi se sulmi nuk ishte i planifikuar, por përbënte një akt serioz dhune të ushtruar nga dy persona në një klub nate të mbushur me njerëz.
Duke iu drejtuar Brown, ai theksoi se dhuna e këtij lloji krijon rrezik jo vetëm për personin që sulmohet drejtpërdrejt, por edhe për njerëzit e tjerë që ndodhen në afërsi.
Dënimi me burg të pezulluar nënkupton se Chris Brown nuk do të vuajë dënimin në burg, përveç rastit kur kryen një tjetër vepër penale gjatë periudhës 12-mujore të pezullimit, në përputhje me kushtet e vendosura nga gjykata.



