Kurti dikur i quante “zuzarë”, tash i bën “miq” në përpjekjen e tij për të mbajtur pushtetin

Kryetari i Vetëvendosjes në fushatë kishte përdorur përsëri gjuhë fyese ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Tek citonte Faik Konicën, veten e kishte shpallur “kombëtar” dhe të tjerët i kishte quajtur “zuzarë”. Me po të njëjtit që i fyeu, ka bërë përpjekje koalicioni për të rrokur në dorë të tri levat kryesore të pushtetit.

Shefi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kishte përdorur fushatën zgjedhore për ta thelluar polarizimin publik në përpjekje për marrë edhe më shumë vota para zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025.

Më 14 janar në një tubim në Mitrovicë, Kurti kishte fyer kundërshtarët e tij politikë, duke i vënë në anën e “zuzarëve” tek përdorte thënie të vjetra të Faik Konicës, figurë e lëvizjes kombëtare shqiptare.

Një vit më vonë, atyre që dikur i futi bashkë në thes e i bëri “zuzarë”, iu lut me letra e me mesazhe nëpër platforma të komunikimit që t’i bëheshin bashkë-partnerë për qeverisje e kështu edhe për emrin e presidentit, çështje për të cilën nuk ka konstituar Kuvendin dhe ka shkelur edhe rregulloret e po të njëjtit me mos thirrjen e seancës konstitutive.

Në tubimin e Mitrovicës, Kurti e kishte bërë ndarjen si me teh thike kur kishte folur për veten dhe për partitë e tjera.

“Faik Konica ka thënë një shprehje lapidare, ka shumë të tilla, por unë përzgjodha njërën sonte. Po e citoj: ‘Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, por ndahen në dy anë, ana e kombëtarëve ku ka shqiptarë nga të gjitha besimeve dhe ana e zuzarëve’. Ne jemi nga ana e kombëtarëve”, kishte thënë Kurti.

Pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe sinjalizimit për zgjedhje të reja shkaku i bllokadës së Vetëvendosjes për çështjen e presidentit, LDK-ja nisi bisedimet për bashkëqeverisje.

Mirëpo më 13 gusht lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku që i mbijetoi një tjetër vote brenda partisë që vonoi edhe vazhdimin e bisedimeve me Kurtin dhe Vetëvendosjen, konfirmoi se nuk do të ketë më biseda dhe që partia që drejton nuk kërkon më asnjë post, qoftë ministror, të Kryetarit të Kuvendi dhe të presidentit.

Një ditë më vonë, sot më 14 gusht, Kurti e quajti mik Abdixhikun, teksa konfirmoi se ishte biseduar që Glauk Konjufca të jetë emri për president.

“E ndjeka mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim Lumir Abdixhiku, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Besoj që LDK-ja është dashur të hy në bashkëqeverisje, të kemi marrëveshje politike. Marrëveshja nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18 deputetë, por edhe deformim i rezultatit nuk mund të jetë. Me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”, ka thënë Kurti të premten pas diplomit të 100 kadetëve në Shërbimin Korrektues.

Kurti ka dhënë detaje mbi diskutimet me LDK-në dhe ofertën për bashkëqeverisje.

“Kur e kemi parë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani: Nëse VV-ja do ta kishte kandidatin për president e që ishte Glauk Konjufca, atëherë LDK-ja ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Nëse kandidati për president është konsensual, atëherë ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri. Sepse VV-ja po heq dorë nga presidenti. Besoj që oferta për kryeparlamentarin dhe për bashkëqeverisje, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë do të bëhej zëvendësi im nuk është pak, nuk do të ishte pak edhe sikur të ishte rezultati më i ngushtë e lërë me që ishte 53 me 18”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Abdixhiku heqjen dorë nga kërkesa që posti t’i takojë LDK-së, e ka arsyetuar me “nevojën për të shmangur krizën”.

Ai ka thënë se oferta e Vetëvendosjes për LDK-në ka qenë që kjo parti “të bëhet dekor”. Sipas tij, LVV-ja ia ka ofruar tri ministri LDK-së, duke i kërkuar postet tjera për vete.

Tek ka thënë se LDK-ja nuk pranon nënshtrim, Abdixhiku ka shtuar se për të shmangur futjen në një krizë më të thellë, kjo parti ka vendosur që të tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita, por që të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale.

“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë Ministri. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, ka thënë Abdixhiku. “Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për LDK-në si partnere, s’do ta ketë as si dekor. Në rrethana të tilla, do të qëndrojmë në opozitë, ku qytetarët na kanë vendosur dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”.

Të premten e shkuar ka qenë afati i fundit i definuar nga Gjykata Kushtetuese, brenda të cilit duhej të konstituohej legjislatura e njëmbëdhjetë. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

By admin7