Prokuroria Themelore në Prizren ka zbardhur detaje të reja nga vrasja e S. Dakës, 59-vjeçarit që dyshohet se u vra nga 60-vjeçari Rrahman Hoti të mërkurën në Suharekë.
Prokuroria, në kërkesën e parashtruar në Gjykatë ku kërkon caktimin e masës së paraburgimit prej 30-ditësh ndaj të pandehurit, ka përshkruar ngjarjen që tronditi qytetin e Suharekës.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03 min, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. I pandehuri Rr.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta viktimën S.D., si dhe me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ishin prezente në momentin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit, raporton Paparaci.
“I pandehuri duke përdorur armën e zjarrit të llojit Sig Sauer, ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.”
Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij, sipas komunikatës.
Pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Rrahman Hoti, i dyshuari për këtë krim, dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: vrasje e rëndë dhe armëmbajtje paleje.



