“Ekziston rreziku i arratisjes”, Gjykata arsyeton paraburgosjen e Skender Llugiqit që kërcënoi Haradinajn

Një muaj paraburgim ka caktuar Gjykata Themelore e Prishtinës për Skender Llugiqin, të dyshuarin që bëri thirrje për pushkatimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Gjykata në arsyetim të këtij vendimi tha se “ekziston rrezik real” që nëse i pandehuri lihet në liri mund të arratiset.

Llugiqi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që, në rast se i pandehuri lihet në liri, ai të arratiset me qëllim të shmangies dhe fshehjes nga përgjegjësia penale, duke u bërë i paarritshëm për organet e drejtësisë. Një rrethanë e tillë do ta pamundësonte sigurimin e pranisë së tij dhe do të pengonte zhvillimin e rregullt dhe efikas të procedurës penale”.

Llugiqi bëri thirrje për pushkatimin e Haradinajt në sallën e Kuvendit të Kosovës gjatë një aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”.

By admin7