Njëri ndër organizatorët e protestave studentore për provimin e jurisprudencës në shqip dhe kryetari i Parlamentit Studentor të “Nënë Terezës”, Besar Sejdiu alaramon se më 16 nëntor është ndaluar pa i dhënë arsye të qarta në dalje të pikës kufitare “Bllacë”.
Sipas informatave të Alsat, rasti ka ndodhur rreth orës 04:30 të mëngjesit, derisa Sejdiu së bashku me disa studentë me të tjerë ka qenë duke udhëtuar me furgon për aktivitete studentore në Itali. Në dalje nga Maqedonia, Policia e Kosovës e ka ndaluar Sejdiun ndërsa ka urdhëruar që furgoni me studentët e tjerë të vazhdojnë rrugën. Policia e Kosovës e ka shoqëruar Sejdiun deri te Policia e Maqedonisë, ndërsa nuk i janë dhënë shpjegime zyrtare për arsyen e ndalimit. Jozyrtarisht, njëri prej policëve e ka informuar Sejdiun se ndodhet në një listë kontrolli. Pas fotokopjimit të pasaportës, Sejdiu është lëshuar pa asnjë shpjegim për ndalimin.
Alsat sot kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme, nëse Besar Sejdiu është në listë të veçantë kontrolli. Nëse po, prej kur është vendosur dhe cilat janë arsyet e vendosjes. Megjithatë, MPB nuk jep sqarime nën arsyetimin se të dhënat janë personale dhe se plotësisht kërkohen të dhëna nga evidencat zyrtare të cilat mund t’i kërkojë persona dhe të dhëna nga evidencat zyrtare të cilat nuk mund të dorëzohen në formë elektronike. Nga MPB, në një përgjigje shtesë thonë se Policia në varësi të rrethanave mund të zbatojë kontrolle shtesë, megjithatë nuk japin shpjegime se cilat kanë qenë rrethanat në këtë rast konkret.
“Ministria e Punëve të Brendshme vepron sipas ligjeve dhe dispozitave ekzistuese dhe procedurat e për kryerjen e kontrolleve kufitare. Çdo person i cili e kalon kufirin shtetëror u nënshtrohet kontrolleve përkatëse kufitare, ndërsa në varësi prej rrethanave mund të zbatohen edhe kontrolle kufitare shtesë, në pajtueshmëri me autorizimet ligjore të zyrtarëve policorë”, thonë nga MPB.
Megjithatë Lëvizja Studentore e cila gjatë periudhës së kaluar ka udhëhequr iniciativën për provimin e jurisprudencës në shqip ndalimin e Sejdiut e quajnë tentim për represion institucional me qëllim të tërheqjes nga qëndrimet e tyre. Ata kërkojnë llogari nga institucionet.
“Për ne, ky veprim ngre dyshime serioze për presion të qëllimshëm institucional ndaj përfaqësuesve studentor dhe përpjekje për t’i frikësuar e zmbrapsur studentët nga kërkesat e tyre legjitime. Veçimi dhe shoqërimi i një përfaqësuesi studentor në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa asnjë arsyetim të qartë, nuk mund të kalohet në heshtje. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të sqarojnë publikisht mbi çfarë baze është vendosur Besar Sejdiu në këtë listë, kush e ka marrë këtë vendim dhe për çfarë arsye”, deklaruan nga Lëvizja Studentore.
Sipas Ligjit për Kontroll Kufitar, respektivisht nenit 15 Policia kryen kontrollet minimale kufitare. Përveç verifikimit të identitetit dhe vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit, policia ka të drejtë që, në mënyrë josistematike, të kontrollojë në evidencat dhe bazat elektronike të të dhënave nëse një person paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin publik, marrëdhëniet ndërkombëtare apo shëndetin publik. Kjo nuk nënkupton se çdo shtetas kontrollohet automatikisht në këto baza, por se policia ka autorizim ligjor për verifikime të tilla në mënyrë selektive gjatë kalimit të kufirit. /Alsat.mk



