ASH – NJË STRUKTURË POLITIKE QË DUHET TË RUAJË IDENTITETIN DHE TË ARDHMEN E SAJ!

Aleanca për Shqiptarët (ASH) është një parti me traditë, me strukturë të gjerë organizative dhe me përcaktim të qartë të djathtë politik. Pas ndarjes nga jeta të liderit historik të PDSH-së, Arbër Xhaferi, skena politike shqiptare kaloi nëpër një proces fragmentarizimi, nga i cili lindën fraksione dhe subjekte të ndryshme politike.

Megjithatë, ASH, me në krye Arben Taravarin, arriti të dëshmojë se ka potencial të madh politik dhe organizativ. Rezultatet në zgjedhjet lokale, ku kandidatët e saj fituan bindshëm në dy komuna të rëndësishme, ndonëse garuan në kuadër të koalicionit AKI, dëshmojnë për një bazë të fuqishme mbështetëse.

Duke e njohur nga afër këtë strukturë njerëzish, mund të them se në të ekziston një numër i konsiderueshëm aktivistësh me bindje të qarta të djathta, me përkushtim politik dhe me çështjen kombëtare gjithmonë në rend të parë.

Sot, në prag të kongresit të radhës, kur shtrohet çështja se kush duhet t’i prijë partisë në të ardhmen, mendoj se diskutimi duhet të përqendrohet mbi ruajtjen e identitetit politik, forcimin e strukturave dhe bashkimin e potencialit njerëzor.

Dy kryetarë komunash të fituar me rezultat shumë bindës, Valbon Limani dhe Hisen Shabani, tre deputetë ndër më aktivët në Kuvend, disa dhjetëra këshilltarë komunalë dhe struktura të shtrira në një pjesë të madhe të hapësirës ku jetojnë shqiptarët, përbëjnë një potencial serioz politik.

ASH ka mundësinë të konsolidohet si një forcë e fuqishme opozitare dhe të krijojë konkurrencë të vërtetë në skenën politike shqiptare.

Por ambicia nuk duhet të përfundojë vetëm te ruajtja e asaj që ekziston. Kjo strukturë duhet të ketë vizion dhe guxim për t’u hapur edhe ndaj grupeve të tjera politike, organizimeve më të vogla dhe iniciativave qytetare, duke krijuar një hapësirë më të gjerë bashkëpunimi.

Partitë ndërtohen mbi vlera, koncepte, njerëz dhe përgjegjësi politike.

Shpresoj që kongresi i ardhshëm të jetë një moment pjekurie politike, uniteti dhe konsolidimi, në mënyrë që ky potencial njerëzor dhe politik t’i shërbejë sa më shumë çështjes kombëtare shqiptare.