Kamberi flet në Kuvendin e ri të Serbisë, uron për fitoren bindëse Listën Studentore, iu thotë që s’do të jetë konformist

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të ketë negociata, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim politik me shumicën e re parlamentare në Serbi.

Në fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, Kamberi u është drejtuar veçanërisht deputetëve të rinj, duke i ftuar që ndryshimet politike në vend të reflektohen edhe në qasjen e institucioneve ndaj pakicave kombëtare dhe të drejtave të tyre.

Ai ka theksuar se kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk janë të reja, por vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura prej më shumë se 36 vjetësh.

“Gatishmëria për partneritet nuk nënkupton gatishmëri për konformizëm. Hapja ndaj dialogut nuk nënkupton heqje dorë nga parimet, ndërsa bashkëpunimi politik nuk mund të jetë zëvendësim për realizimin e të drejtave”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka renditur disa nga çështjet kryesore që, sipas tij, duhet të trajtohen nga institucionet e Serbisë, duke kërkuar përfaqësim të përshtatshëm të shqiptarëve në institucionet shtetërore, polici, gjyqësor dhe shërbime publike.

Kamberi ka kërkuar gjithashtu zgjidhjen e çështjes së njohjes së diplomave të fituara në universitetet e Kosovës, investime dhe zhvillim ekonomik për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, si dhe ndalimin e praktikës së pasivizimit të adresave të vendbanimit.

Në mesin e kërkesave të tij kanë qenë edhe avancimi i arsimit në gjuhën shqipe, sigurimi i teksteve shkollore, respektimi i së drejtës për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe zhbllokimi i fondeve që Këshilli Kombëtar Shqiptar përfiton nga Kosova.

Deputeti shqiptar ka rikujtuar se baza për zgjidhjen e këtyre problemeve ekziston tashmë, duke përmendur Planin Shtatëpikësh dhe Planin e Veprimit të vitit 2022.

Kamberi ka kritikuar edhe qasjen historike të institucioneve serbe ndaj shqiptarëve, duke thënë se ata për dekada janë parë përmes paragjykimeve të sigurisë, dyshimeve politike dhe mosbesimit historik.

“Shumë shpesh janë trajtuar si të padëshiruar, si një problem që duhet kontrolluar, madje edhe si një lloj ‘armiku i përhershëm’”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se qëndrimi i tij dhe i përfaqësuesve shqiptarë ndaj shumicës së re parlamentare do të varet nga veprimet konkrete dhe jo nga deklaratat apo etiketimet politike.

Kamberi ka bërë të ditur se do të mbështesin iniciativat që kontribuojnë në demokratizimin e Serbisë, forcimin e institucioneve, avancimin e të drejtave të qytetarëve dhe integrimin evropian, por ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga kërkesat e shqiptarëve në këmbim të posteve politike apo gjesteve simbolike.

“Për mënyrën, dinamikën dhe mekanizmat institucionalë të zgjidhjes së problemeve mund të bisedojmë. Por për vetë të drejtën e barazisë nuk mund të negociojmë”, ka deklaruar Kamberi.

Në përfundim të fjalimit, ai ka theksuar se përfaqësuesit shqiptarë nuk hyjnë në Kuvendin e Serbisë për të kërkuar poste në pushtet, por për të kërkuar përfaqësim dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Ne nuk vijmë për të kërkuar një vend në pushtet. Vijmë për të luftuar për vendin e shqiptarëve në institucionet e këtij shteti”, ka përfunduar Kamberi.