Parregullsitë në kontrollet teknike, ndotja nga automjetet dhe heqja e filtrave DPF janë ndër shqetësimet që lidhen me qarkullimin e veturave në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Automjetet synojnë të forcojnë mekanizmat e kontrollit, duke mundësuar verifikim më të lehtë të regjistrimit, kategorisë ekologjike dhe gjendjes teknike të veturave.
Në treg gjenden automjete me standarde të ndryshme ekologjike, përfshirë Euro 3, Euro 4 dhe Euro 5. Këto standarde përcaktojnë kufijtë e emetimit të gazrave ndotës. Euro 3 lejon emetime më të larta të disa ndotësve, ndërsa Euro 4 dhe Euro 5 vendosin kritere më të rrepta, duke synuar uljen e ndotjes nga automjetet.
Ndër ndryshimet e propozuara është edhe zëvendësimi i ngjitëses ekologjike me një ngjitëse identifikuese-mjedisore, e cila do të lidhet në mënyrë elektronike me Regjistrin e Automjeteve. Kjo do të mundësojë verifikim më të lehtë të kategorisë ekologjike dhe të dhënave të automjetit, pa ekspozuar të dhënat personale të qytetarëve.
Synimi është të parandalohen parregullsitë dhe të sigurohet që kontrollet teknike të kryhen sipas kritereve ligjore. Por, rëndësi nuk ka vetëm regjistrimi i automjetit, por edhe gjendja reale e tij, përfshirë funksionimin e filtrave DPF, të cilët kapin grimcat e dëmshme nga gazrat e motorëve dizel. Për shkak se projektligji nuk është gjithëpërfshirës, deputetët propozojnë që ndryshimet në Ligjin për Automjetet të shqyrtohen me procedurë të shkurtuar. /Alsat.mk



