BDI: Janevska kërkon të shfuqizohet Badenteri dhe i quan shqiptarët “komunitet i vogël” – poshtërimi nuk ka fund

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke i cilësuar ato si sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej shtyllave themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe rendit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
Sipas BDI-së, Janevska e ka cilësuar parimin e Badenterit si një “mjet” dhe ka kërkuar që ai të mos zbatohet në rastet kur ajo dhe Qeveria vlerësojnë se nuk është i nevojshëm.
Nga BDI theksojnë se Kushtetuta nuk i jep ministres dhe as Qeverisë të drejtën që të vendosin në mënyrë selektive se kur duhet dhe kur nuk duhet të zbatohet shumica e Badenterit.
“Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin. Zbatimi i Badenterit nuk varet nga vlerësimi personal i Janevskës nëse një ligj i caktuar i prek shqiptarët”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare shqiptare e konsideron edhe më problematike terminologjinë e përdorur nga ministrja Janevska, e cila, sipas BDI-së, në kontekstin e bllokadës së ligjeve nga deputetët shqiptarë, ka folur për shqiptarët si për një “komunitet të vogël”.
Në reagim theksohet se shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të krijuar pas Marrëveshjes së Ohrit.
“Edhe më poshtëruese është se, në kontekstin e bllokadës nga deputetët shqiptarë, ministrja flet për shqiptarët si për një ‘komunitet të vogël’. Shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit”, thekson BDI.
Sipas partisë, parimi i Badenterit nuk është një mekanizëm që Qeveria mund ta zbatojë ose ta anashkalojë sipas vlerësimit të saj politik, por një garanci kushtetuese e krijuar pikërisht për të parandaluar që shumica numerike të vendosë e vetme për çështjet që prekin gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve.
“Badenteri është garanci kushtetuese që shumica numerike të mos vendosë e vetme për gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve. Kërkesa për zbatimin e tij selektiv synon zhvlerësimin e plotë të këtij mekanizmi”, thuhet më tej në reagim.
BDI përgjegjësinë për situatën ia adreson edhe koalicionit VLEN, duke e lidhur deklaratën e ministres Janevska me, siç thotë, mungesën e legjitimitetit dhe paaftësinë politike të përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri.
Sipas BDI-së, prania e VLEN-it në ekzekutiv nuk po garanton mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të shqiptarëve, ndërsa heshtja e përfaqësuesve të këtij koalicioni po u mundëson ministrave të Qeverisë që të përdorin deklarata poshtëruese ndaj shqiptarëve pa u përballur me përgjegjësi politike.
“Kjo është pasojë e mungesës së legjitimitetit dhe paaftësisë së s’Vlen-it. Prania e tyre në Qeveri nuk i mbron shqiptarët. Heshtja e tyre u mundëson ministrave t’i poshtërojnë publikisht shqiptarët pa dhënë asnjë përgjegjësi”, akuzon BDI.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojnë që ministrja Vesna Janevska të kërkojë menjëherë falje publike dhe ta tërheqë deklaratën e saj.
Njëkohësisht, BDI kërkon që ligjet që kanë të bëjnë me arsimin të miratohen në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me shumicën e nevojshme të Badenterit, duke kundërshtuar çdo përpjekje për zbatim selektiv të këtij mekanizmi.
“Ligjet për arsimin duhet të miratohen në përputhje me Kushtetutën dhe me shumicën e nevojshme të Badenterit. Badenteri nuk është në dispozicion të Qeverisë. Ai është detyrim kushtetues”, përfundon reagimi i BDI-së.

By admin7