Kryeparlamentari Afrim Gashi informoi se është duke u ndërtuar një parking për automjetet e deputetëve dhe punonjësve të tjerë të Kuvendit, përcjell TV21. Parkingu do të jetë i vendosur në hapësirën pas Kuvendit, menjëherë pranë Shtëpisë së ARM-së.
“Vëzhgova nga afër ecurinë e punimeve ndërtimore për rregullimin e hapësirës përreth Kuvendit. Kjo hapësirë po merr një pamje më të rregullt dhe më funksionale, duke krijuar kushte më të mira për parkim dhe për nevojat e përditshme të Kuvendit. Vazhdojmë me punë konkrete dhe me kujdes për çdo hapësirë që i shërben funksionimit më efikas të Kuvendit”, deklaroi Gashi.
Për rregullimin e të gjithë hapësirës dhe ndërtimin e parkingut, Kuvendi do të shpenzojë pak më shumë se 1.6 milionë euro. Në tenderin për përzgjedhjen e realizuesit është zgjedhur kompania “Stenton Gradba”, me të cilën është lidhur kontratë më 8 qershor të këtij viti. Afati për realizimin e punimeve është një vit.
Fillimisht, në këtë hapësirë ishte paraparë ndërtimi i një garazhi shumëkatësh, një pjesë e vogël e të cilit do të përdorej si hapësirë afariste për objekte gastronomike dhe dyqane. Megjithatë, më pas Kuvendi miratoi një ligj me të cilin toka u shpall zonë e sigurisë, duke ndaluar ndërtimin e një objekti të këtij lloji. Pas kësaj, u paralajmërua se kompania që kishte blerë tashmë tokën do të dëmshpërblehej.



