Deklaratat e Arben Gashit, Rashiq thotë se nuk i ka quajtur shqiptarët “terroristë”: Kurrë nuk ka ndodhur

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka mohuar akuzat e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, se gjatë takimeve me zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë i ka quajtur shqiptarët “terroristë”, duke thënë se pretendimet e tilla janë të pavërteta, raporton Ekonomia Online.

Rashiq ka folur edhe për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Fatmir Shehollit, duke thënë se bashkëpunëtorët e tij kishin pranuar thirrje kërcënuese për të shkuar në Beograd.

Sa u përket deklaratave të deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka akuzuar ministrin Nenad Rashiq se i ka quajtur shqiptarët “terroristë” gjatë takimeve me zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, ai tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Unë kam dërguar një kumtesë të premten, po potencoj kjo që po thotë është e pavërtetë, nuk e di si mund të imagjinoj, apo si është motivi i njeriut të bëjë gënjeshtra kaq banale. Po më intereson kush është dëshmitar, kjo kurrë nuk ka ndodhur, po pse i ka rënë në mend ta përmend nuk e di”, tha ai.

Kurse, sa i përket aktakuzës së ngritur ndaj Shehollit, tha se një person me numër telefoni nga Serbia kishte telefonuar pesë ose gjashtë bashkëpunëtorë të tij, duke u kërkuar që të shkonin në Beograd dhe duke i kërcënuar me pasoja.

“Më 24 korrik më kujtohet data e dita, në një moment kur një person me numër telefoni me hyrje të Serbisë ka thirrur pesë ose gjashtë bashkëpunëtorët e mi, duke i frikësuar sikurse kam biseduar më herët, hajdeni në Beograd, nuk e ka prezantuar veten, por pastaj kemi gjetur emrin e tij dhe u ka thënë se duhet të vini në Beograd të shtunën, nëse nuk vini do të keni pasoja keq për juve. Një incizim i tillë është në posedim të gjykatës prej atij momenti, këtë rast e kam lajmëruar në organet e rendit dhe sigurisë dhe prej atij momenti, unë e di që ato incizime që janë shpallur në atë portal “Pa Rrotulla”, kanë qenë të njëjta sikur që janë dërguar nga ky personi tek bashkëpunëtorët e mi si kërcënim”, tha ai.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Fatmir Shehollit, ministri Nenad Rashiq përmendet si viktimë e targetuar e një plani diskreditimi të organizuar në bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA.

Prokuroria pretendon se në fund të shtatorit 2025, Fatmir Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut, ku kishte pranuar 5 mijë euro dhe materiale që përmbanin biseda audio dhe transkriptime të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila udhëhiqet nga Nenad Rashiq.