Kica-Xhelili: LDK-ja nuk duhet të ndahet në kampe, marrëveshja politike nuk e ndryshon bindjen time për Kushtetutën.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke bërë thirrje për shmangien e ndarjeve dhe kampeve politike në LDK.
Kica-Xhelili ka thënë se nuk dëshiron një LDK të ndarë mes “atyre të kryetarit” dhe “atyre të gjashtë deputetëve”, duke theksuar se debati dhe mospajtimi nuk duhet të konsiderohen si tradhti politike.

“Nuk kam hyrë në LDK për të zgjedhur kampe brenda saj. Kam hyrë sepse besoj në një parti ku institucioni është më i rëndësishëm se individi, ku debati nuk është tradhti dhe ku shumica ka të drejtë të udhëheqë, por pakica ka të drejtë të mos heshtë”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për kandidaturën e Bekim Sejdiut, Kica-Xhelili tha se e konsideron atë profesionist dhe person me integritet, ndërsa shprehu edhe dyshimet që kishte lidhur me arsyet pse kryeministri në detyrë Albin Kurti ishte pajtuar me këtë kandidaturë.
Sipas saj, zhvillimet e fundit mund të kenë treguar se Kurti e ka ditur se kjo kandidaturë do të shkaktonte përçarje brenda LDK-së.

“E mëkati ynë më i madh mund të jetë se, duke mos e tejkaluar vetveten, u bëmë tmerrësisht e lehtësisht të lexueshëm nga ai”, ka shkruar ajo.

Kica-Xhelili është ndalur edhe te çështja e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, janë interpretuar këto afate.

Ajo ka theksuar se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa më pas është ndërtuar një interpretim tjetër sipas të cilit afati përfundonte më 6 shtator.

Sipas saj, tashmë është tejkaluar edhe ky afat, ndërsa seanca është thirrur për 9 shtator.

“Është vështirë të kërkosh seriozitet institucional nga të tjerët kur as rregullit që e ke përcaktuar vetë nuk i përmbahesh. Kjo nuk është më çështje interpretimi juridik. Është çështje e raportit që pushteti zgjedh të ketë me kufijtë që ia vendos Kushtetuta”, ka deklaruar Kica-Xhelili.