Duka dhe dukesha të Sussex-it kanë folur pas një letre nga mbreti Charles, e cila konfirmon se statusi i tyre brenda familjes mbretërore nuk do të ndryshojë pas kthimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Harry dhe Meghan u tërhoqën nga detyrat mbretërore në vitin 2020, dhe mbreti tani e ka bërë të qartë përsëri se ata nuk do të kryejnë detyra zyrtare si anëtarë të familjes mbretërore, transmeton Indeksonline.
Zëdhënësi i tyre i tha Daily Mail-it se ata ishin të befasuar nga publikimi i letrës sepse nuk ishin informuar paraprakisht për të. “Ne ishim pak të befasuar që nuk na ishte thënë paraprakisht për këtë,” thanë ata shkurt.
Harry dhe Meghan hoqën dorë nga detyrat mbretërore në vitin 2020 për arsye personale dhe financiare dhe u kthyen në Mbretërinë e Bashkuar më 26 gusht.
Përpara kthimit të tyre, burime nga pallati thanë se mbreti mezi priste të kalonte më shumë kohë me familjen e tij, por gjithashtu pohoi se Harry dhe Meghan nuk do të ktheheshin në detyrat zyrtare mbretërore. Sipas këtyre raporteve, mundësia që ata të kalonin një pjesë të kohës së tyre, duke kryer detyra mbretërore dhe duke jetuar si individë privatë nuk ishte një opsion.
Gjatë qëndrimit të tij në Britani, Harry pritet të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me Çmimet WellChild, të cilat tradicionalisht mbahen në mesin e shtatorit.
Nga ana tjetër, Meghan pritet të rifillojë punën e saj me organizatat bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar. Fëmijët e tyre, princi Archie dhe princesha Lilibet, pritet të fillojnë shkollën në Britani, jo shumë larg shtëpisë në fshat ku pritet të qëndrojë familja.
Në letër thuhet se pas vendimit të Harry-t dhe Meghan-it për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar, ka pasur një numër pyetjesh nëse pozicioni i tyre brenda familjes mbretërore po ndryshon. Prandaj, Mbreti ka vendosur të konfirmojë qartë se statusi i tyre mbetet i njëjtë.
Kujtojmë se duka dhe dukesha të Sussex-it hoqën dorë nga detyrat mbretërore në janar 2020 dhe nuk janë më anëtarë aktivë të familjes mbretërore.
Letra thekson gjithashtu se ata do të vazhdojnë të kenë liri kur bëhet fjalë për pavarësinë financiare dhe jetën private, por pa detyra zyrtare mbretërore. Prandaj, statusi i tyre nuk ndryshon dhe titujt lartmadhëria e tij dhe lartmadhëria e saj mbretërore nuk do të përdoren ende.
Mbreti deklaroi gjithashtu se puna e tyre bamirëse është çështje e tyre private dhe se ata e kryejnë atë si individë privatë, jo si përfaqësues të monarkisë. “Shkurt, pozicioni i tyre është i ngjashëm me atë të qytetarëve privatë që kanë interesa biznesi dhe bamirësie”, përfundonte letra.



