Kos i dërgon mesazh Serbisë: Përballuni me të kaluarën, glorifikimi i kriminelëve të luftës s’ka vend në BE

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka dërguar një mesazh të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me mënyrën se si duhet të përballen me të kaluarën dhe krimet e luftës.

Duke komentuar varrimin e ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mladiq, të zhvilluar në Beograd, Kos tha se ngjarja tregoi se plagët e së kaluarës në Ballkanin Perëndimor mbeten ende të hapura.

“Varrimi i Ratko Mladiqit na tregoi të gjithëve se sa të shumta janë ende plagët e së kaluarës këtu në Ballkanin Perëndimor”, tha Kos.

Ajo theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian është e mundur vetëm nëse vendet kandidate përballen me të kaluarën, respektojnë viktimat dhe tregojnë gatishmëri për të diskutuar për të kaluarën me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

“Glorifikimit të kriminelëve të luftës nuk i ka vendi në Bashkimin Evropian, por as në vendet kandidate”, deklaroi Kos.

Komisionerja evropiane u bëri thirrje politikanëve në Ballkanin Perëndimor që të kontribuojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës dhe jo t’i thellojnë ato.

“Do të doja të shihja të gjithë politikanët në Ballkanin Perëndimor duke kontribuar në shërimin e këtyre plagëve, në vend që vazhdimisht të hedhin kripë mbi to, duke ua pamundësuar kështu të shërohen”, tha ajo.

Sipas Kos, përballja me të kaluarën nuk është vetëm çështje e qytetarëve, por mbart një përgjegjësi të veçantë për politikanët.

“Është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve, por përgjegjësi e veçantë e politikanëve”, theksoi ajo.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, tha se Podgorica e ka bërë të qartë qëndrimin e saj ndaj Mladiqit, duke theksuar se ai meritonte përbuzje “edhe atëherë edhe tani”.

“Mesazhi nga Brukseli ishte i qartë. Ata që glorifikojnë kriminelin e luftës Ratko Mladiq nuk mund të jenë pjesë e BE-së”, tha Ibrahimoviq.

Ai shtoi se standardet evropiane nënkuptojnë respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe se krimet e luftës nuk duhet të glorifikohen apo të heshten.