Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, është takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së që u mbajt në Nju Jork.
Milatoviq tha se e ftoi homologun amerikan për një vizitë në vendin e tij, duke thënë se mund të luajë një raund golfi – sporti i preferuar i Trump – me pamje nga gjiret më të bukura të Europës.
“Me këtë rast, e ftova atë të vizitojë Malin e Zi dhe të luajë një raund golfi me pamje nga një prej gjireve më të bukura në Evropë. Në qershor, në Mal të Zi pritëm liderë evropianë, të cilët nuk e fshehën entuziazmin e tyre për bukuritë e vendit tonë. Vizita e Presidentit Trump do të kishte një rëndësi të veçantë dhe do të ishte historike, pasi ai do të ishte presidenti i parë amerikan që do të vizitonte Malin e Zi”.
Milatoviq tha se vizita potenciale e Trump “do të ishte një tjetër mundësi për të treguar më të mirën që ka Mali i Zi, por edhe për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./Express/



