Thirrjet për protestat me moton “Jo në emrin tim” po vazhdojnë edhe në diasporë, ku gjatë ditës së sotme janë paralajmëruar tubime në disa qytete të Evropës.
Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar se protesta do të mbahen në Mynih, Aachen, Lozanë dhe Malmo, me pjesëmarrësit që do të përcjellin mesazhin “Jo në emrin tim”.
Në Mynih të Gjermanisë, protesta zhvillohet nga ora 17:30.
Thirrje për pjesëmarrje është bërë edhe në qytetin tjetër gjerman, Aachen, ku organizatorët kanë ftuar bashkatdhetarët që të bëhen bashkë dhe të përcjellin mesazhin “Jo në emrin tim”.
Tubim do të ketë edhe në Lozanë të Zvicrës, ku janë ftuar bashkatdhetarët që t’i bashkohen protestës me moton “bashkë e njëzëri”.
Ndërkaq, në Malmo të Suedisë, protesta është paralajmëruar nga ora 14:00.
Protestat janë pjesë e aktiviteteve të organizuara kudo nëpër botë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë që i dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.



