Shkruna: Nefail Emini
Zyrtarët e Bashkimit Evropian zhvilluan një takim urgjent, pasi administrata e Donald Trumpit i bëri presion Evropës që të vërë në përdorim rezervat e saj strategjike të naftës, me synimin për të lehtësuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Lufta SHBA–Izrael kundër Iranit, krahas luftës Rusi–Ukrainë, ka ushtruar presion të fortë mbi tregjet globale të energjisë dhe ka kontribuar në rritjen e çmimeve të naftës. Kjo situatë po krijon gjithashtu kosto politike për administratën Trump, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Në Shtetet e Bashkuara, çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm, duke arritur javën e kaluar një nivel rekord prej 6.53 dollarësh për gallon, ose rreth 1.73 dollarë për litër, duke pasur parasysh se një gallon amerikan përmban 3.78 litra. Sipas Komisionit Evropian, edhe në Evropë çmimi mesatar i karburantit ka arritur një nivel historik prej 2.24 eurosh për litër.
Presioni i SHBA-së ndaj Ukrainës
Në të njëjtën kohë, administrata Trump i ka bërë presion Ukrainës për të kufizuar sulmet ndaj objekteve të industrisë ruse të naftës. Gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në mesin e shtatorit, Trumpi theksoi se bëhej fjalë për “naftë, naftë, naftë”, duke nënvizuar shqetësimin e tij për ndikimin e sulmeve ukrainase ndaj sektorit energjetik rus dhe pasojat e mundshme të tyre mbi furnizimin global dhe çmimet e naftës.
Trump thirrje Evropës pë ti liruar rezervat e tyre strategjike
Presidenti Trump ka deklaruar se u ka këtkuar vendeve evropiane të vënë në përdorim menjëherë rezervat e tyre strategjike të naftës, në përpjekje për të ulur presionin mbi tregun global të energjisë.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i bëri thirrje Evropës që “menjëherë” të përdorë rezervat e saj strategjike. Ndërkohë, Sekretari i Energjisë i SHBA-së, Chris Wright, u ka kërkuar vendeve evropiane të lirojnë rreth 120 milionë fuçi naftë nga rezervat e tyre gjatë një periudhe tremujore, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve të naftës, ose, në të kundërt, të përballen me kufizime të mundshme të eksporteve.
Gjermania dhe Franca disponojnë rezervat më të mëdha të naftës dhe produkteve të naftës në Evropë, sipas statistikave zyrtare të Eurostatit.
Rregulloret e Bashkimit Evropian kërkojnë që shtetet anëtare të mbajnë rezerva të detyrueshme nafte në një nivel që mbulon të paktën 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm, në varësi të nivelit që është më i lartë.
Për shkak të këtyre kërkesave, Bashkimi Evropian disponon rezerva strategjike nafte dukshëm më të mëdha se Shtetet e Bashkuara: rreth 37.5 milionë tonë, krahasuar me 14.1 milionë tonë në SHBA.
Megjithatë, pavarësisht këtyre rezervave të konsiderueshme, Evropa mbetet shumë e varur nga importet e naftës dhe produkteve energjetike nga Shtetet e Bashkuara. Tashmë, Uashingtoni po kërcënon të “mbyllë rubinetin” për Evropën, duke e rritur më tej presionin mbi tregun evropian.
Eksportet amerikane të naftës drejt Evropës përbënin rreth 41% në shtator, ndërsa zyrtarët evropianë deklaruan se Shtetet e Bashkuara siguruan rreth gjysmën e importeve evropiane në gusht.
Përplasja brenda BE-së për rezervat strategjike
Pikërisht në këtë pikë po shfaqen edhe dallimet mes kryeqyteteve evropiane. Zyrtarët francezë propozuan një lirim të konsiderueshëm të rezervave strategjike të naftës dhe produkteve të saj gjatë bisedimeve emergjente të zhvilluara sot, pasi Uashingtoni u kërkoi vendeve evropiane të përdorin rezervat e tyre ose të përballen me mundësinë e një ndalimi potencialisht paralizues të eksporteve të karburanteve.
Berlini, nga ana tjetër, ka shfaqur një qasje më të rezervuar dhe ka hezituar të lirojë ndonjë sasi nga rezervat e veta. Gjermania dhe vende të tjera evropiane nuk duan që rezervat strategjike të përdoren thjesht si instrument për të ndikuar mbi çmimet në tregjet ndërkombëtare. Qëndrimi i tyre është se rezervat duhet të vihen në përdorim vetëm në rast të një kërcënimi real ndaj sigurisë së furnizimit.
Kjo përplasje e hap një debat më të gjerë brenda Bashkimit Evropian: deri ku duhet të përdoren rezervat strategjike për të zbutur një krizë të çmimeve dhe, mbi të gjitha, kush duhet të përcaktojë momentin kur ato duhet të lirohen? Për Evropën, çështja nuk lidhet vetëm me çmimin e naftës, por edhe me sigurinë energjetike, varësinë nga furnizuesit e jashtëm dhe aftësinë e saj për të ruajtur një rezervë strategjike në rast të një ndërprerjeje reale të furnizimeve.



