Hamza: Të miratohet ndryshimi i ligjit për Specialen në dy leximet, pastaj e zgjedhim Presidentin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se qëndrimi i partisë së tij është që ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë të miratohet në të dy leximet, më pas të propozohet emri dhe të zgjidhet Presidenti, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

Hamza tha para mbledhjes së partisë se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me PDK-në.

“Kërkesa dhe qëndrimi i PDK-së është edhe kjo nuk është për PDK-në. Se çka është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne. Ne po themi të aprovohet ligji në të dy leximet, pastaj të propozohet emri për President dhe të zgjidhet Presidenti, e të shmangen zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me e çu vendin në zgjedhje, është temë tjetër”, deklaroi Hamza.

Kryesia dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do ta mbajnë tani një mbledhje të përbashkët.

Në mbledhjen që do të mbahet në selinë e kësaj partie, do të diskutohen rrethanat e reja pas takimeve të fundit të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza me kryeministrin dhe kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

Në këto takime, siç ka mësuar Gazeta Express, Kurti ka kërkuar që fillimisht Projektligji për Specialen të miratohet vetëm në lexim të parë, më pas Kuvendi të kalojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit dhe vetëm pas kësaj të procedohet miratimi në lexim të dytë i projektligjit, gjë e cila nuk është pranuar nga kreu i PDK-së.