Hamz: Jam optimist se ligji për Specialen nesër do t’i kryejë të gjitha procedurat brenda Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është optimist që plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara do të kalojë nesër në Kuvend

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ai ka thënë se pret që iniciativa e kësaj partie, të përkrahet nga të gjithë deputetët.

“Nesër në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jetë ligji për plotësim-ndryshimin për Dhomat e Specializuara. Kjo është një iniciativë ligjore e Partisë Demokratike të Kosovës, por e përkrahur masivisht edhe nga qytetarët e Republikës së Kosovës, për çka dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e tyre për përkrahjen e këtij projektligji. E ka marrë miratimin edhe nga Qeveria dhe tash i plotëson të gjitha kushtet që procedohet në Kuvend”, ka deklaruar Hamza.

“Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji, dhe ky ligj nesër t’i përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë për mungesë transparence, llogaridhënieje dhe mbikëqyrjeje, ndërsa ka thënë se vendimi i fundit është i padrejtë.

“Dhe ne me tani, çka kemi parë në proces: kemi parë mungesë transparence, mungesë llogaridhënie, mungesë mbikëqyrje, dhe kemi një vendim të padrejtë. Një vendim ku gjykohet historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës. Ku qytetarët e Kosovës që përballen me këtë drejtësi, ballafaqohen me një proces të padrejtë ku shkelen edhe të drejtat e njeriut, siç kemi konstatime edhe prej organizatave kredibile ndërkombëtare”, është shprehur Hamza.

“Deri tash çka ka ndodhur, ka pasur shumë vështirësi, ka pasur shumë probleme, ka pasur shumë padrejtësi. Ne po duam me vazhdu me besu në drejtësi. Dhe për këtë qëllim, apeli do të fillohet brenda Dhomave të Specializuara, në kuadër të Dhomave të Specializuara, dhe ne presim që të ketë një vendim të drejtë, bazuar në fakte, në prova, jo thashetheme, jo të vërteta, jo të ndërtohen dhe të sajohen krijesa që s’kanë ekzistuar. Nuk mundet dhe nuk qëndron ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale’, ata njerëz janë të pafajshëm. Nuk mundet me u gjykuar njerëzit për krime që s’i kanë bërë. Krimet duhet me u faktuar”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se PDK-ja, nuk është kundër hetimit dhe faktimit të krimeve, por kundërshton atë që e quan proces të padrejtë.

Në fund, ai ka thënë se ndryshimet ligjore nuk synojnë shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, por vendosjen e mekanizmave dhe kthimin e tyre, siç tha ai, brenda normave juridike dhe ligjore.

“Dhe në këtë aspekt, ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e vendosim, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore. Dhe për këtë arsye, unë jam i bindur që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të jenë në përkrahje të këtij ligji dhe ky ligj do të përfundojë nesër brenda procedurave të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Hamza