Thirrje për vrasjen e Rexhep Selimit në komentet e një postimi në Facebook

Një komentues ka bërë thirrje për vrasjen e ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimit, në hapësirën e komenteve të një postimi të Gazetës Sinjali në Facebook.

Komenti është publikuar në një postim me titull “Shpirti artistik i Rexhep Selimit nuk u burgos: Shfaqet piktura e tij për UÇK-në”, që trajtonte një pikturë të realizuar nga Selimi dhe të prezantuar në emisionin “ArtKand” të Top Channel.

Personi që ka shkruar komentin përdor emrin Albesian Kelmendi në profilin e tij në Facebook. Megjithatë, identiteti i personit që qëndron pas këtij profili nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Në koment, personi ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për vrasjen e Selimit, duke përdorur gjuhë nxitëse për dhunë ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së.

Thirrje të tilla të bëra publikisht në rrjetet sociale përbëjnë një çështje serioze, veçanërisht kur drejtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj një personi konkret.

Rexhep Selimi është dënuar në shkallën e parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, me 13 vjet burgim.

Komenti është publikuar në një postim që kishte në fokus aktivitetin artistik të Selimit dhe pikturën e tij kushtuar UÇK-së, e jo ndonjë zhvillim të ri lidhur me procesin gjyqësor.

Ndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur dhjetra raste të komentimeve të ngjashme, ku bëhej thirrje për vrasje të figurave kryesisht politike.