Arrestimi i ish-shefit të shërbimit sekret në Gjermani/ Hanning dyshohet se shiti dosjet sekrete te Azerbajxhani

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i ish shefit të inteligjencës gjermane August Hanning.

Ky i fundit dyshohet se ka marrë mbi dy mijë dokumente, shumë prej të cilave ishin të klasifikuara tepër sekrete, dhe më pas ua ka “rishitur” informacionin klientëve të ndryshëm si konsulent privat.

Për 12 vjet, August Hanning , kreu i agjencisë gjermane të inteligjencës së jashtme (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005, shfrytëzoi miqësinë e tij me Manfred D., ish-menaxherin e zyrës së tij, për të marrë dosje të brendshme.

Ky bashkëpunim, sipas rindërtimit të prokurorit federal, e çoi Hanning të përdorte informacion të klasifikuar në një analizë për një ”aparat sigurie të inteligjencës së jashtme”.

Sipas ‘Der Spiegel’, klientët ishin shërbimet sekrete të Azerbajxhanit.

80-vjeçari Hanning u arrestua të martën në mëngjes në atë që mund të jetë një nga shkeljet më serioze të sigurisë kombëtare në historinë gjermane që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Sipas hetuesve, kontaktet e para midis ish-kreut të BND-së dhe Manfred D. ndodhën në pranverën e vitit 2010.

Manfred D. ishte veçanërisht i pozicionuar mirë për të shërbyer si spiun, pasi kishte shërbyer për një kohë të gjatë – veçanërisht deri në mars të vitit 2026 kur doli në pension – si përfaqësues ex-officio i disa presidentëve të BND-së. Prandaj, ai kishte akses të pakufizuar në shumë dokumente të klasifikuara, veçanërisht ato që lidheshin me të ashtuquajturën “situatë të inteligjencës” që do t’i dorëzoheshin Kancelarisë Federale.

Këto dosje “tepër sekrete” dyshohet se u përdorën më pas nga August Hanning për punën e tij private si konsulent, të cilën ai e nisi pasi u largua nga shërbimi sekret.

Hanning dyshohet se përfshiu disa nga dokumentet e marra në një vlerësim për një punonjës të një shërbimi të inteligjencës së huaj.

Sipas informacioneve të mbledhura nga shtypi gjerman, ky shtet ishte Azerbajxhani, një vend me të cilin Hanning ka lidhje të ngushta, aq sa ai është i listuar midis ish-anëtarëve të bordit të Forumit Gjerman të Azerbajxhanit.