Vodhën vepra arti me vlerë 9 milionë euro nga Muzeu Renoir, arrestohen 5 persona

Pas një ndjekjeje të madhe, të paktën pesë persona janë arrestuar në Francë në lidhje me vjedhjen e katër veprave të artit nga Muzeu Renoir më 8 shtator.

Dy të dyshuarit për hajdutë besohet të jenë midis të arrestuarve.

Gazeta franceze Nice-Matin, e cila raportoi e para arrestimet, tha se të dyshuarit mund të jenë të lidhur me një bandë të organizuar kriminale.

Vjedhja ndodhi në agim të 8 shtatorit, kur një grup hajdutësh të përshkruar si “të pajisur mirë” dhe “të informuar mirë”, hynë me forcë në muze përmes kopshteve të tij, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Bryan Masson.

Ata çanë një gardh dhe hynë në muze nga kati përdhes duke thyer një dritare, dhe më pas prenë kapëset që siguronin kornizat e veprave të artit me një sharrë elektrike, tha Masson në komentet e bëra nga transmetuesi lokal Ici Azur.

Sipas Masson, dyshja u “zbulua falë kamerave të mbikëqyrjes së qytetit”. Raportet fillestare vlerësuan se sasia e vjedhur vlente deri në 9 milionë euro.

Në një deklaratë me shkrim të siguruar nga agjencia e lajmeve AP, dy nga veprat e vjedhura u gjetën të lëna në kopshtin e muzeut, ndërsa hajdutët ikën nga policia e cila ishte njoftuar nga alarmi. Por dy të tjerat – Portreti i Madame Colonna Romano (1910) dhe Gruaja e Re te Pusi (1886) – janë ende të zhdukura.

Muzeu Renoir, i vendosur midis Kanës dhe Nicës, është atraksioni më i famshëm i qytetit bregdetar mesdhetar. I hapur që nga viti 1960, ishte shtëpia e fundit e piktorit para vdekjes së tij në vitin 1919 nga bllokimi pulmonar kur ishte 78 vjeç./ Euronews.