Ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare Ali (Qerim) Ngucati, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur përmes një njoftimi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku thuhet se Ngucati ka ndërruar jetë sot, më 9 tetor 2026, pas një sëmundjeje të rëndë.
I ndjeri ishte zyrtar i lartë, i sistemuar në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me rastin e vdekjes së tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve, bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të Ngucatit.
Jashari ka vlerësuar lart kontributin dhe shërbimin e tij ndër vite, duke theksuar përkushtimin, nderin dhe dinjitetin me të cilin i shërbeu atdheut në të gjitha periudhat.
Ali Qerim Ngucati u lind më 12 maj 1972 dhe ndërroi jetë më 9 tetor 2026.
Nga FSK-ja kanë bërë të ditur se për kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit dhe homazheve do të njoftohet më vonë./IndeksOnline/



