Votuesit në qytetin peruan Cueropalca kanë zgjedhur Hitler Musolinin Simeon Flores, kandidatin e partisë së qendrës së majtë Ahora Nacional, si kryetarin e ri të bashkisë, duke fituar 34 për qind të votave, raporton Politico me bazë në Bruksel.
Sipas mediave lokale, tre kandidatët me më shumë vota ishin të ndarë nga një diferencë prej vetëm 42 votash.
Aplikimi për kandidim i Flores, i publikuar në faqen e internetit të autoriteteve zgjedhore peruane, dha pak informacion rreth tij, përveç faktit që ai menaxhon grupin e investimeve “Simeon Sac”.
Dokumenti nuk shpjegon origjinën e emrit të tij të pazakontë.
Kjo nuk është hera e parë që një politikan me emrin Hitler kandidon në zgjedhje në Peru.
Në vitin 2018, Hitler Gesclin Alba Sanchez fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie të distriktit Jungar, duke mundur një kandidat me emrin Lenin Vladimir Rodriguez Valverde.
“Unë jam Hitleri i mirë”, deklaroi Alba gjatë fushatës zgjedhore, sipas mediave lokale.
Një rast i ngjashëm u regjistrua në Namibi, ku Adolf Hitler Unona fitoi një mandat të pestë radhazi në zgjedhjet lokale vitin e kaluar.



