Dhjetëra të plagosur dhe ndërtesa të dëmtuara nga tornadot në Siçili

Dy tornado goditën qytetin bregdetar Marsala në Siçilinë perëndimore, në Itali, duke plagosur dhjetëra persona, dëmtuar ndërtesa, përfshirë një shkollë dhe përmbysur makina.

Një sërë videosh u shpërndanë të premten në mëngjes, ku shiheshin dy vorbulla uji që afroheshin nga deti drejt qytetit.

Dhjetëra persona u raportuan të plagosur, me të paktën 11 të shtruar në spital pasi u goditën nga mbeturinat dhe xhamat e thyer. Një 70-vjeçar, i shtruar në spitalin e Mazara del Vallo, raportohet të jetë në gjendje kritike, me fraktura të shumta.

Një shkollë u godit gjithashtu nga erërat e fuqishme, duke lënduar gjashtë fëmijë. Në momentin e goditjes, brenda ndërtesës ndodheshin 273 nxënës, të cilët u evakuuan të gjithë në mënyrë të sigurt. Pamjet me dron treguan dëme të mëdha në shkollë, me dritare të thyera dhe banka e karrige të përmbysura.